Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sulmet e fundit në Veri të Kosovës janë dëshmia kryesore që Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuçiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, njofton Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë tendencën ruso-serbe që përmes destabilizimin të rajonit, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje de Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi ndër tjerash ajo.
Tutje, ajo ka ftuar qytetarët e Kosovës e në veçanti serbët që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”, shkroi tutje Osmani./Insajderi.com