Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka diskutuar për situatën në Veriun e Kosovës.
“Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës”.
“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”.
“Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.
Takimi ka nisur në ora 10:00, por aty mungoi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Një takim të tillë, kreu i ekzekutivit e kishte paralajmëruar të shtunën.
Pos kësaj, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok u sulmua me granata. /Insajderi.com