Kurti: Me Ramën bisedova për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese Kosovë – Shqipëri

Kurti: Me Ramën bisedova për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese Kosovë – Shqipëri

“Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese midis dy qeverive tona”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Ramën.

“Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 e deri më tani janë mbajtur 16 të përbashkëta ndërmjet dy qeverive ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle” deklaroi Kurti.

Pas takimit që Kurti zhvilloi në Prishtinë, të hënën – është vendosur edhe për një sekretariat koordinues për marrëdhëniet bilaterale Kosovë- Shqipëri.

“Ky sekretariat do të udhëhiqet nga Gentian Sala”, ka thënë Kurti.

Po ashtu shtoi se Shala ka dy pasaporta, të Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë besim të plotë tek njëra-tjera”, vazhdoi kryeministri i Kosovës.

Kurti foli edhe për bashkëpunimin e Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ekonomik.

“Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tonë. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm”.

Kreu i ekzekutivit gjatë konferencës për media tregoi se ka biseduar me  sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell – ku theksoi se dialogu është zgjidhja e vetme.

Ai ka folur edhe për prezencën e Njësiteve Speciale aty, përcjell Insjaderi.com

“Njësia Speciale nuk ndodhet aty për të demonstruar forcë, por për të mbrojtur pikat kufitare. Ky është qëllimi i vetëm i Policisë”.

Për sa i përket bllokadave në rrugët kryesore që çojnë në Jarinje dhe Bërnjak, Kurti deklaroi se “ata që kanë bllokuar rrugën e kanë bllokuar vetën”.

“Ne kemi kërkuar ose t’i vendosim targat e përkohshme të dy palët ose targat e përkohshme, ose t’i heqim të dy palët”, tha Kurti.

“Nuk kam informacion për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it. Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike”.

“Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën”, potencoi kryeministri kosovar.

Kreu i ekzekutivit kosovar, garantoi se Njësitet Speciale nuk janë duke e bërë asnjë lëshim në Veriun e Kosovës. /Insajderi.com