Të hënën mblidhet Kuvendi, kërkohet të diskutohet për gjendjen në Veri

Të hënën mblidhet Kuvendi, kërkohet të diskutohet për gjendjen në Veri

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të hënën e 4 tetorit për të vazhduar seancën e kaluar, njofton Insajderi.com.

Kështu bëri të ditur kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka bërë të ditur se AAK-ja ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për gjendjen në veri.

Sipas tij, ka pasur dakordim me të gjithë shefat e grupeve tjera parlamentare për të diskutuar për kohën dhe ditën e mbajtjes së seancës.

“Të gjitha partitë politike e shohin shumë saktë që gjendja në veri është serioze dhe i tejkalon interesat partiake”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së Kryesisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Ndërsa, shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti në Kryesi të Kuvendit ka ngritur edhe çështjen e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe kësaj here nuk kemi pasur konsensusin për ta vendosur në seancën e radhës. Sa më shpejt të nxirret për votim dhe deputetët të vendosin se nga pesë kandidatët, cilët duhet të jenë dy që duhet të bëhen anëtarë”, ka thënë ai. “Jemi dakorduar që të takohemi me shefat e grupeve parlamentare për caktimin e ditës dhe orës së seancës së jashtëzakonshme për gjendjen në veri”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

Tahiri po ashtu ka thënë se partia e tij “i ka dhënë përkrahje vendosjes së ligjshmërisë në komunat në veri”.

Ai e ka quajtur tejet të rëndësishëm koordinimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë proces.

Kurse, kryeparlamentari Konjufca nuk deshi të deklarohej. /Insajderi.com