BE: Ende nuk ka marrëveshje finale për reciprocitetin, bisedimet në Bruksel vazhdojnë

BE: Ende nuk ka marrëveshje finale për reciprocitetin, bisedimet në Bruksel vazhdojnë

Bashkimi Evropian ka thënë se bisedimet për arritjen e marrëveshjes për situatën në Veri të Kosovës janë ende duke vazhduar, transmeton Insajderi.com.

Në një postim në Twitter, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë nuk ka përfunduar dhe se negociatat janë duke vazhduar.

Protestat në Veri të Kosovës

“Dialogu: Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Miroslav Lajcak në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovë“, shkroi ai.

Ndërkaq, kryenegociatori Kosovar, Besnik Bislimi, tha se janë afër një marrëveshjeje me Serbinë lidhur me reciprocitetin ndaj targave.

Në një adresim për media, Bislimi tha se kanë arritur të krijojnë një draft final, ku po pritet vetëm miratimi nga ana e palës serbe.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final”, ka thënë ai.

Sipas Bislimit, marrëveshja parasheh tri elemente, ndër të cilat është se nga e hëna, Kosova dhe Serbia do të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave.

Kurse, pika e tretë është deeskalimi i situatës në Veri të Kosovës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Tutje, Bislimi është shprehur se pika e vetme ku Serbia nuk është pajtuar, ka të bëjë me veturat KM, që sipas tij, pala serbe mendon që për këtë nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Ndryshe, që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë me tabelat e veturave.

Sipas kësaj mase, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat janë të përkoshme e që zgjasin 60 ditë.

Të pakënaqur për këtë, serbët lokal kanë dalur në pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që nga dita e parë e reciprocitetit duke bllokuar rrugët dhe duke mos lejuar kështu qarkullimin e asnjë veture.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare./Insajderi.com