Ambasada Amerikane në Kosovë e mirëpret marrëveshjen Kosovë – Serbi për targat

Ambasada Amerikane në Kosovë e mirëpret marrëveshjen Kosovë – Serbi për targat

Marrëveshja e përkohshme për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe ka përgëzuar Kosovën e Serbinë për arritjen e marrëveshjes.

“Lajme të shkëlqyeshme nga Brukseli- një shembull se si riangazhim në dialog mund të kenë përfitime të vërteta, të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët e zakonshëm”.

“Faleminderit Miroslav Lajcak për lehtësimin dhe partnerëve kosovarë dhe serbë për gatishmërinë e tyre për të negociuar”, ka shkruar ai në Twitter.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.

Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut. /Shqip.com

Marrëveshja e Brukselit për targat.