Vazhdon përplasja virtuale Ahmeti-Mushkolaj

Vazhdon përplasja virtuale Ahmeti-Mushkolaj

Përplasja virtuale, Ahmeti-Mushkolaj, duket se nuk ka fund, të paktën jo sot.

Pasi analisti politik, Imer Mushkolaj, e cilësoi kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dështak, ky i fundit nuk la pa reaguar.

Ahmeti i cili fillimisht tha se “analistët e televizioneve e shohin si pikën më të lartë të lartë të karrierës së tyre, atë që bëjnë”, duke mos përmendur emra, pas shkrimit të Mushkolajt, i bëri një pyetje ironizuese.

“A ti paske qenë a? Se unë emër skam përmend! Jomelop kremë për djegie?”, ka shkruar Ahmeti mbi fotografinë ku shihet statusi i fundit i Mushkolajt.

Përplasja Ahmeti-Mushkolaj në Facebook

Gjithçka nisi pasi në mbrëmjen e së enjtes, autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, deshi të lexojë reagimin e Ahmetit për marrëveshjen e targave të veturave, por nuk u lejua nga Mushkolaj duke thënë se “s’na duhet komenti i tij”.

Për këtë, Ahmeti ndërhyri live në emision, teksa reagoi Mushkolaj duke thënë se “pas mandatit të presim analist”.

Mirëpo, nuk përfundoi me kaq.

Paraditen e së premtes, Ahmeti pas deklaratës së Mushkolajt se “ai do të bëhet analist”, tha se analistët e televizioneve e shohin si pikën më të lartë të karrierës së tyre”.

Ahmeti tha se më këto deklarata, Mushkolaj më shumë e ka sulmuar vetën, teksa shton se pozita e analistit është më e ulëta për të.

Pas kësaj deklarate nga kryetari i Prishtinës, nisën edhe ofendimet nga pala tjetër, i cili e cilësoi Ahmetin si dështak e sinonim i dembelizmit dhe papërgjegjësisë.

Mushkolaj u shpreh se i ka bërë nder Ahmetit për propozim në pjesëmarrje në debate, pasi që ai “ka dështuar në politikë”.

“Shpend dështaku, sinonim i dembelizmit dhe papërgjegjësisë, paska gjetë kohë me u marrë me mu. Unë i bona nder, tu i propozu me u marrë me analiza politike, masi ka dështu n’politikë, edhe pse jam i bindun që kish dështu edhe aty. Po të isha n’vend të tij, m’kish ardhë turp me folë. Po njerëzit si ky nuk kanë turp. Janë vetë turpi”, ka shkruar Mushkolaj. /Insajderi.com