Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, me dy veprimet e fundit, marëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë dhe për projektin e gazit amerikan, ka rrezikuar shtetin, përcjell Insajderi.com.
Në një konferencë për media, Haradinaj tha se këto dy ngjarje janë të rënda për Kosovën dhe se për këtë Kurti i ka plotësuar kushtet për të dhënë dorëheqje.
“Dje Kosova ka marrë dy goditjet më të mëdhatë që nga pavarësia. Dje është nënshkruar marrëveshje qe e kthen Kosovën 10 vjet prapa dhe është refuzuar projekti për gazin. Ka vendosur t’i rikthej targat ilegale të Serbisë që i kemi hequr 10 vjet më parë. Është pajtuar që njësitë elite të policisë të trajtohen njëjtë si bandat kriminale në polici.
Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin, partneritetin me SHBA-në, i ka plotësuar të gjitha kushtet për dorëheqje. Mbetja e tij në detyrë vetëm edhe për një ditë është e dëmshme për Kosovën”, tha ai.
Sipas tij, duke mos e çuar përpara projektin e gazit, Kurti e ka marrë vendimin më anti-shqiptar dhe më anti-amerikan.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të enjten ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka nevojë për më shumë informata “për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”.
Në një konferencë për media, ajo u shpreh se MCC-ja amerikane ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit.
Tutje, Rizvanolli shtoi se gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë punën e përbashkët me ekipin e MCC-së në këtë drejtim.
“Gjatë muajve në vijim do të vazhdojmë pounën e përbashkët intensive me ekipin e MMCC në këtë drejtim dhe jemi mirënnjohës MCCsë, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”, përfundoi ajo.
Ndërkaq, mesditën e së enjtes, Emisai i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, tha se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur një marrëveshje për targat e veturave.
Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë./Insajderi.com