Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se të premten ka marrë vendim për subvencionimin e kredive konsumuese, njofton Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se me këtë vendim synohet mbështetja e likuiditetit familjar për mbulimin e shpenzimeve sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, apo çfarëdo shpenzimi tjetër.
“Me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, mbylljen e bilanceve të kredit kartelave, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes”, shkroi ndër tjerash Murati.
Sipas tij, përmes kësaj mase, të gjithë ata që marrin kredi konsumuese deri në 10 mijë euro nga 1 tetori, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.
Po ashtu, Murati tregoi se shuma që përfiton secili aplikuar është 10 përqind e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 eurosh.
“Kush mund të përfitojë? Të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.
Sa është shuma e subvencionimit? Shuma që përfiton secili aplikues që kualifikohet është 10% e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro.
Shembull: Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro; Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro; Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro”, thuhet ndër tjerash në postimin e tij./Insajderi.com