Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimorë është në Bashkimin Evropian”.
Szunyog të premten është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e rajonit.
“E ritheksova edhe një herë që e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe që zgjerimi mbetet politikë kyçe e jona”, ka thënë Szunyog – i cili më pas ka shkruar edhe në Twitter.
Procesi i integrimit.
Katër shtete të Ballkanit Perëndimor; Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi – janë kandidatë për integrim në Bashkimin Evropian.
Vetëm Kosova dhe Bosnje Hercegovina nuk e kanë marrë ende statusin e kandidatit.
Por, për dallim nga Bosnja, Kosova nuk ka as liberalizim të vizave.
Kështu, kosovarët janë të vetmit në rajon që ende s’e gëzojnë lëvizjen e lirë për në zonën shcengen.
Në anën tjetër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më afër integrimit në Bashkimin Evropian
Për dallim nga Shqipëria, Maqedonisë së Veriut problem i ka dalë me Bullgarinë, shtet anëtar i BE-së – kontestimi i gjuhes maqedonase.
Ndërsa, Serbisë i kërkohet që për vazhdimin e hapjes së kapitujve të ri – duhet të zgjidhet çështja e Kosovës.
Kërkesë direkte e Brukselit është që Kosova të largohet nga Kushtetuta e Serbisë. /Insajderi.com