Deputetët e partive opozitare në seancën e Kuvendit të Kosovës të hënën kanë kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar me palën serbe në Bruksel lidhur me çështjen e targave.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel për çështjen e targave, “e cenon sovranitetin shtetëror”.
“Kjo marrëveshje tashmë e ka futur brenda territorit të Kosovës, Serbinë. I kërkojmë kësaj Qeverie që ta ndalin dëmin që janë duke ja shkaktuar Republikës së Kosovës. Siç po shohim shpresoj që mjetet demokratike të na mjaftojnë neve si opozitë që t’ju ndalim, por si duket jo”, ka thënë Tahiri.
Marrëveshjen për targat e ka kundërshtuar edhe Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka deklaruar se “me pranimin e targave KM, PR, PZ e të tjera, Qeveria i ka zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë”.
“Asnjë qeveri nuk e ka bërë një gjë të tillë. Por e keni bërë ju falë një sjellje euforike dhe të pakoordinuar. Sot, për herë të parë Serbia lëshon targa brenda Kosovës. Keni zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë”, është shprehur Gashi.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, e pyetur kryeministrin Albin Kurti, nëse duhet që Njësia Speciale të marrë leje nga KFOR-i për të shkuar në veri.
“Kosova mund ta konsideroj fitore marrëveshjen e vitit 2015, por është e paqartë çka ka ndodh me targat ilegale, e megjithatë Njësia Special është humbëse në këtë rast. Fillimisht, janë ekspozuar, e më pastaj kanë duruar sharjet e fryrjet e serbëve. A ka nevojë Njësia Speciale të marrë leje nga KFOR-i për të shkuar në veri apo jo”, ka thënë Berisha.
Në anën tjetër, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollqaku, e ka mbrojtur marrëveshjen e Brukselit, duke thënë se “defacto është njohje e Kosovës nga Serbia”.
“Ata që kanë pritur marrëveshje përfundimtare mund të ndjehen zhgënjyes sepse secila marrëveshje e as kjo nuk mund ta sjellë njohje, por defacto e sjell njohjen nga Serbia. Kjo marrëveshje ka një të metë që është dashtë të vendoset më herët”, është shprehur ajo./SHQIP.com