Dëshimtari i tretë në rastin e gjykimit të Salih Mustafës në Hagë, pretendon se është djegur me qirinj dhe është keqtrajtuar edhe me kuti elektrike, duke thënë se telat e saj ia lidhnin në të dy këmbët dhe i jepnin dridhje, njofton Insajderi.com.
Kështu tha ai në seancën gjyqësore që po mbahet të hënën e 4 tetorit, teksa u pyet nëse mund të përshkruaj se si e kanë rrahur e keqtrajtuar.
“I kanë pasë disa bishta të sakicave, kanë pasur edhe shufra sikur të policisë, kanë qenë të hekurit, më shumë me to më godisnin”, tha ai.
“Në katin lartë, të ulshin në karrikë, të mbajshin afër qirinj, derisa të piknin në shpinë dhe të digjte”.
“Ka qenë si kuti, t’i lidhnin telat në këmbë dhe ajo të jepke dridhje, telat t’i lidhnin në dy këmbë dhe e lëshonin”, ka thënë ai derisa u pyet për secilën nga këto përjetime veç e veç.
I pyetur nëse është abuzuar seksualisht nga ushtarët që ai pretendon se e kanë maltretuar, dëshmitari thotë se nuk është abuzuar në atë formë, por kanë urinuar dy herë mbi të.
“Seksualisht nuk jam abuzuar, por më kanë urinuar. Kjo ka ndodhë një herë ka ndodhë poshtë sa kam qenë në bodrum dhe kërkova disa ujë të na binë. Erdhën dy ushtarë të tij, më rrahën më shtrinë për toke dhe së fundmi më urinuan dhe më thanë: ja uji. Kjo ka ndodhur dy herë”, tha ai.
I njëjti ka zbuluar edhe disa emra që pretendon se ishin nofkat e ushtarëve që kanë ushtruar dhunë mbi të dhe të tjerët që po mbaheshin në atë objekt.
“’Tabuti’, ‘Afrim’, ‘Vela’, ‘Dardan’, ‘Fatmiri’, ‘Bimi’, këta kanë qenë ata torturuesit, maltretuesit më të mëdhenj. Keqtrajtimet kanë ardhur prej këtyre emrave. Këta kishin rroba të zeza, por ndonjëherë ka ndodhë që kanë pasur edhe rroba normale”, thotë ai, derisa zbuloi se më vonë ka marrë vesh që I ashtuquajturi ‘Tabuti’, quhet Nazim. /Insajderi.com