Në ditën e zgjedhjeve s’do të kërkohet dëshmia e vaksinimit

Në ditën e zgjedhjeve s’do të kërkohet dëshmia e vaksinimit

Votuesit nuk do të duhet ta paraqesin dëshminë e vaksinimit apo rezultatin negative të ndonjërit nga testet për COVID-19 në ditën e zgjedhjeve lokale më 17 tetor, transmeton Insajderi.com.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tha se duke kërkuar dëshminë e vaksinimit do të kufizohej e drejta e votës që është e drejtë kushtetuese.

“Sa i përket çështjes së votimit në ditën e zgjedhjeve KQZ-ja nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar ose se kanë rezultuar negative në njërin nga testet për COVID-19. Nuk do të ishte korrekte dhe gjithashtu nuk është në përputhje me të drejtën kushtetuese që të kufizohet e drejta e votës me një dëshmi të vaksinimit”, ka thënë ai në “Sytë shtatë” të Klan Kosovës.

“Deri më tani e dimë në bazë të të dhënave që nuk është bërë akoma vaksinimi i të gjithë qytetarëve, në këtë rast edhe i qytetarëve me të drejtë vote, prandaj nëse ne kërkojmë dëshmi të vaksinimit atëherë i bie që shumë prej qytetarëve do të përjashtoheshin nga ushtrimi i të drejtës së tyre për të votuar”, shton më tej Elezi.

Ndonëse dëshmia e vaksinimit apo testit negativ për COVID-19 nuk është e domosdoshme, padyshim që masa tjera kufizuese do të ketë sa i përket votuesve.

“Të gjithë qytetarët me të drejtë vote të cilët shkojnë në vendvotim gjatë kohës sa janë duke pritur në qendër të votimit kërkojmë që të mbahet distanca prej 2 metrash, gjithashtu distance kërkohet edhe gjatë kohës sa janë duke hyrë në vendvotim”, thotë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së – Valmir Elezi

“Votuesit duhet të mbajnë gjatë gjithë kohës maskën, me përjashtim të rastit kur duhet të identifikohen nga ana e anëtarit të këshillit të vendvotimit. KQZ-ja do të vendosë në hyrje dezinfektues, në mënyrë që votuesit të dezinfektojnë duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”.

Megjithatë, dëshmia e vaksinimit ose rezultati negativ i një nga testeve për COVID-19 do të kërkohet nga stafi zgjedhor dhe vëzhguesit që do të punojnë më 17 tetor.

“Stafi zgjedhor dhe vëzhguesit që do të jenë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve ka masa kufizuese, më saktësisht ato që janë marrë nga Qeveria e Kosovës sa i përket vaksinimit dhe testeve negative”.

“Në ditën e zgjedhjeve do të kërkojmë nga stafi zgjedhor dhe vëzhguesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar të paktën me njërën dozë të vaksinës ose të kenë rezultatin negativ nga ndonjëri prej testeve për COVID-19”, thotë më tej Elezi. /Insajderi.com