Kryeministri i Kosovës dhe i Spanjës për herë të parë përballë njëri-tjetrit në samit, por pa simbole shtetërore

Kryeministri i Kosovës dhe i Spanjës për herë të parë përballë njëri-tjetrit në samit, por pa simbole shtetërore

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, do të marrë pjesë për herë të parë në takimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, ku do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton Insajderi.com.

Kjo është hera e parë që krerët e qeverive të këtyre dy vendeve do të ulen ballë për ballë njëri tjetrit në një samit evropian.

Ndryshe nga paraardhësi i Sanchez, Mariano Rajoy, i cili ishte larguar nga një samit i ngjashëm në Bullgari në vitin 2018 për të shmangur takimin me udhëheqësin kosovar në mes të krizës katalanase, Sanchez do të jetë i pranishëm, por thotë se i është garantuar që të mos ketë simbole të Kosovës në takim për ta identifikuar atë si shtet të pavarur.

Prandaj, siç raporton ‘El Confidencial’, nuk do të ketë flamuj ose simbole të asnjë vendi dhe shenjat e zakonshme të vendosura në tryezën e zënë nga secili prej pjesëmarrësve do të pasqyrojnë emrat e tyre, por pa specifikuar ndonjë pozicion të tillë si presidenti ose kryeministri.

Së bashku me Qipron, Greqinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, Spanja është një nga pesë shtetet europiane që nuk e njohin Kosovën shtet, por ajo ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi “në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje që është e mirë për të dy palët dhe që respektojnë ligjin ndërkombëtar në çdo kohë”.

Megjithatë, pjesëmarrja e Sanchezit në samit së bashku me kreun kosovar nuk do të thotë në asnjë mënyrë që Spanja do të ndryshojë qëndrim ose që mendon të heqë veton e saj për njohjen e Kosovës si vend i pavarur. /Insajderi.com