Premtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për rritjen e pagës minimale në 250 euro e ka cilësuar si “qesharake’, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Sipas tij, janë vetëm 1 mijë punëtorë që punojnë me minimumin e pagës, pra 170 euro.
“Ato janë kryesisht kompani publiko-private që kryejnë shërbime në Qeveri apo në mjekësi”, tha Azemi.
Madje është shprehur i mllefosur në “Interaktiv”, duke thënë se pagën minimale prej 250 euro Kurti dhe qeveritarët e tij “ta mbajnë për vete”.
Po ashtu, iu bëri thirrje punëtorëve të mos nënshkruajnë kontrata nën 400 euro.
“Tash për tash nuk ka që nënshkruajnë kontratë në pagën 350 euro, paga 250 euro është sikurse të flasësh për borën e parvjetme, është qesharake që një kryeministër të flasë për pagë minimale 250 euro”, ka thënë Azemi.
Gjithashtu akuzoi kreun e ekzekutivit kosovar për mosveprim në raport me sektorin privat.
Majtizmi i Albin Kurtit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdimisht ka deklaruar se do të mbrojë të drejtat e punëtorëve të sektorit privat.
Madje, më 1 maj – Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Punëtorëve, Kurti ka shkruar në Facebook se “Qeveria do të jetë partnere e sindikatave të punëtorëve nëpër kompani”.
Së fundi ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro.
Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro – VV ka premtuar edhe gjatë fushatës se do të ketë rritje. Por, kjo normë e rritjes po kritikohet si e pamjaftueshme.
Përcaktimi i pagës është praktikë e vendeve evropiane, madje për këtë ka një histori.
Ligjet moderne të pagës minimale e gjejnë origjinën e tyre në Urdhrin e Punëtorëve (1349), i cili ishte një dekret nga Mbreti Edward III që përcaktonte një pagë maksimale për punëtorët në Anglinë mesjetare. /Insajderi.com