Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protestën e radhës

Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protestën e radhës

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar protestë masive pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Tri javë më parë kjo federatë kishte protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar shtesa në pagë sipas Ligjit për Pandeminë. Por, sipas tyre, kërkesat nuk janë marrë parasysh nga Qeveria.

“Duke pasur parasysh që kanë kaluar tre javë nga protesta publike e përfaqësuesve sindikal të punonjësve të shëndetësisë, protestë në të cilën u shpalosën kërkesat për shtesat në pagë sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe për fillimin e procedurave të plotësimit dhe miratimit të Ligjit mbi Pagat, me theks të veçantë që të futet në parashikimin e buxhetit për vitin 2022, dhe mosrespektimin absolut nga Qeveria, FSSHK-ja në mbledhjen e mbajtur me datë 07.10.2021 PARALAJMËRON se menjëherë pas datës 17.10.2021 pra, pas procesit zgjedhor komunal do të organizojë PROTESTËN e radhës e cila do të jetë më masovike se ajo e datës 17.09.2021”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, kjo Sindikatë ka thënë se me këtë qasje të Qeverisë aktuale po bëhet shkatërrimi i sistemit publik shëndetësor, derisa kanë kërkuar reflektim./Insajderi.com