Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, vlerëson se Kosova në plan afatgjatë duhet ta ketë të zgjidhur çështjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Sipas tij, nuk ka zgjidhje të lehta, e as shumë zgjedhje për çështjen e furnizimit me energji elektrike dhe koston e energjisë elektrike.
“100% green (e gjelbër) është pamundshme, për arsye teknike dhe të kostos. Çdo vend në botë e ka në funksion dhe do ta ketë në funksion, për një kohë të caktuar, së paku një burim konvencional të energjisë (gaz, nukleare, thëngjill)”, shkruan ai në Facebook.
Tutje, thotë se në plan afatmesëm, duhet investime masive në efiçience (izolimi i objekteve, sistemet e ngrohjes, etj) dhe në burime të energjisë që mund të përdoren për vetëkonsum (kulmet me panele solare, biomasa, etj), sidomos tek kategoria e bizneseve”.
Ndërsa, në plan afatshkurtër, shton se duhet të përdoren instrumente fiskale dhe financiare, “që të amortizohet rritja e pashmangshme e çmimit të energjisë elektrike”.
Sipas tij, në fokus të përkrahjes nga këto instrumente duhet të jenë kategoritë sociale, bizneset mikro dhe të vogla, si dhe bizneset prodhuese.
“Për bizneset prodhuese duhet të analizohet mundësia e zbatimit të “tarifës industriale”, që mundëson ruajtjen e aftësisë konkurruese të këtyre bizneseve në tregun vendor dhe në tregjet ndërkombëtare”, thotë Rukiqi.
Ndërkohë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se kriza energjetike në Evropë pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë. Ndaj, sipas saj, qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve. /Insajderi.com