Ambasadori italian: Kosova – pikë qendrore përmes së cilës kalon çdo rrugë që lidh Ballkanin

Ambasadori italian: Kosova – pikë qendrore përmes së cilës kalon çdo rrugë që lidh Ballkanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë dhe mikpritës me ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i shoqëruar nga zëvendës-shefi i Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero.

Në takim, ambasadori De Riu ka deklaruar se Kosova është vend me potencial të madh, “sepse është pikë qendrore nëpërmjet së cilës kalon çdo rrugë që lidh Ballkanin”.

Ambasadori De Riu, i cili në të kaluarën kishte vizituar Kosovës në dy raste, në vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës dhe në vitin 2009 pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se ndjehet i lumtur që është në Kosovë me këtë përgjegjësi të re.

Foto nga takimi Antonello De Riu – Albin Kurti

Në anën tjetër, Kryeministri Kurti i ka uruar ambasadorit mirëseardhje dhe suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja.

Ai është shprehur i bindur se “bashkëpunimi i mirë i deritanishëm me ambasadorët e Italisë në Kosovë dhe Republikën e Italisë vetëm sa do të avancojë”.

“Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e vazhdueshme, që ajo i ka ofruar Kosovës dhe popullit të saj”.

“Ai tha se qeveria që udhëheqë ka për synim parësor drejtësinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, andaj Kosova është e gatshme dhe mirëpret investimet e huaja që nxisin zhvillimin ekonomik dhe ngritin mirëqenien e qytetarëve. Kryeministri po ashtu nënvizoi edhe kontributin e çmuar të komandantëve italian të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vend”, njofton Zyra e Kryeministrit./Insajderi.com