Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë apel te qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, përcjell Insajderi.com.
Përmes një komunikate, IKSHPK ka bërë të ditur se asnjëra nga vaksinat anti-COVID’19 nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19.
“Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina. Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, Instituti theksoi se nëse nuk ka vaksinim kundër Coronavirusit, atëherë mund të ketë rritje të rasteve të reja me COVID-19, si dhe shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, etj.
“Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit”, shton tutje IKSHPK.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të dielën janë regjistruar katër vdekje dhe 12 raste të reja me Coronavirus.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe janë dhënë 14 mijë e 901 doza të vaksinës anti-COVID’19, duke e çuar kështu në një milion e 447 mijë e 40 numrin e dozave të dhëna që nga fillimi i vaksinimit./Insajderi.com