Hoti për situatën pandemike: Java mbetet kritike për shkak të tubimeve politike

Hoti për situatën pandemike: Java mbetet kritike për shkak të tubimeve politike

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se java mbetet kritike sa i përket gjendjes me pandeminë COVID-19, për shkak të tubimeve politike, përcjell Insajderi.com.

Hoti u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë masat anti-COVID’19, teksa ka theksuar se situata me pandeminë është e qetë.

Zëdhënësi i MSH-së në transmetim direkt

“Situata rezulton e qetë, por provojmë ta mbajmë situatën nën kontroll dhe të ndërgjegjësojmë publikun për rrezikun që mund të kanoset në vazhdimësi, kemi më pak se 100 pacientë që po kurohen në spitale, dhe disa spitale si ai i Pejës dhe Ferizajt nuk kanë më pacientë me COVID-19.

Ajo që na preokupon është situata e procesit politik që ndërthuret me fushatën zgjedhore. Është hera e dytë që mbajmë zgjedhje gjatë pandemisë, por java mbetet kritike për shkak të tubimeve, dhe i bëj apel partive politike të respektojmë masat gjatë tubimeve”, ka thënë ai për A2 CNN.

Sipas tij, ulja e numrit të rasteve me Coronavirus është bërë pas ndërgjegjësimit nga frika për përmasat dramatike të muajve të mëparshëm dhe vaksinimi.

Tutje, ai foli edhe për zhvillimin e procesit mësimor me prezencë fizike, teksa shtoi se rreth 94 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar.

“Klasat janë të përgjysmuara deri më tani, por mund të pritet dhe rikthimi i plotë. Studentët kanë treguar gatishmëri për t’u vaksinuar, ashtu si mësuesit e vaksinuar kanë arritur rreth 94% të totalit”, shtoi ai./Insajderi.com