Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se “puna e parë për të rinjtë e moshës 18-24 vjeçare do të jetë e garantuar nga shteti”.
Kjo në kuadër të skemës së punësimit, raporton Insajderi.com
“Aktualisht jemi në zhvillim të platformës përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit”.
“Zhvillimi i platformës po bëhet nga kompani vendore, dhe me mbështetje financiare të Helvetas zvicerane”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai po ashtu tha se kanë siguruar mbështetje edhe për financim të skemës nga donatorë tjerë, dhe presin që muajve në vijim mbështetja të rritet.
“Pilotimin me sektorin publik do ta bëjmë me ATK-në, ku së shpejti do të angazhojmë 100 të rinj për të mbështetur ATK-në në fushatën e formalizimit”.
“Ndërsa pilotimin me sektorin privat do ta nisim me sektorin e IT-së, që do të fillojë sapo të funksionalizohet platforma”, vazhdoi Murati.
Papunësia tek të rinjët.
Bazuar në tremujorin e parë të vitit 2021, 30.3% e të papunëve në Kosovë ishin të rinj (të moshës 15-24 vjeç) me 5.8 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave.
Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë (48.6%) dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (53.5 %) krahasuar me meshkujt (46.1%). /Insajderi.com