Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka ditë që disa persona brenda institucioneve të drejtësisë janë duke shpifur në formën më të ulët ndaj saj, pas përpjekjes për reforma në sistemin e drejtësisë, përcjell Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu deklaroi se qëllimi i këtyre shpifjeve është njollosja e përpjekjeve serioze për reformën në drejtësi.
“Reformat në drejtësi janë shumë të rëndësishme. Për këtë kemi marrë mbështetje të madhe qytetare. Është jetike që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.
Ka disa ditë që persona të papërgjegjshëm përbrenda institucioneve të drejtësisë janë duke shpifur në formën më të ulët në drejtim timin. Padyshim që qëllimi i këtyre shpifjeve është njollosja e përpjekjeve serioze për reformën në drejtësi”, shkroi ndër tjerash ajo.
Tutje, ajo tha se pavarësisht kësaj, do të vazhdojnë punën e angazhimin “për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës”.
Ndryshe, më 28 shtator, Haxhiu kishte deklaruar se kishin proceduar në Qeveri, koncept-dokumentin për Vettingun në sistemim gjyqësor.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, tha se subjekt i Vettingut do të jenë të gjithë gjyqtarët, prokurorët si dhe zyrtarët që kanë pozita të larta drejtuese brenda sistemit gjyqësor por edhe prokurorial.