MPB: Mbi 17 mijë stikersa për vetura janë administruar deri më tash

MPB: Mbi 17 mijë stikersa për vetura janë administruar deri më tash

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se 17 mijë e 90 stikersa (ngjitës) për targa janë administruar deri më tash, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, MPB ka njoftuar se ato janë administruar në Agjencinë për Regjistrim Civil dhe në Pikat e Kalimit Kufitar në gjithë territorin e Kosovës.

Stikersat (letrat ngjitëse) të administruara deri më tani.

“Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil dhe Pikat e Kalimit Kufitar në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, kanë administruar gjithsej 17.090 stikersa për targa”, thuhet në postimin e MPB-së.

Kjo ka ardhur pas marrëveshjes së nënshkruar më 30 shtator mes delegacionit kosovar dhe atij serb me ndërmjetësimin e Emisarit Special për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas kësaj marrëveshjeje e cila hyri në fuqi më 4 tetor, do të përdoren letra ngjitëse me cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar pas tensioneve të krijuara, pasi që Qeveria e Kosovës, më 20 shtator, ka marrë vendim që të vendosë reciprocitetin me targat e veturave, sipas të cilës, çdo veturë që hynte nga Serbia, duhej t’i zëvendësonte targat me ato të përkohshme.

Të pakënaqur për këtë, serbër lokal, kishin bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Për të mbikëqyrur situatën, që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit, në këto pika kufitare ishin vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.