Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Ferizajt, Valon Ramadani, ka bërë të ditur një nga pikat e programit të tij qeverisës, pikë kjo e cila nuk është dëgjuar asnjëherë më parë në premtimet e fushatave elektorale, transmeton Insajderi.com.
Në një debat përballë kandidatëve për kryetar të kësaj komune në ‘Kanal10’, Ramadani ka premtuar se në rast se do të zgjedhet kryetar i ardhshëm i Ferizajt, do të organizojë një festival për moshën e tretë, në të cilin do të zgjedhet ‘Miss Gjyshja’.
Ky premtim i çuditshëm i Ramadanit, vjen pasi injëjti mendon se gjyshet janë lënë anash.
“Një pikë që e kemi në programin tonë, që nuk i ka shkuar mendja askujt deri tash, në asnjë palë zgjedhje, na e kemi bërë premtim. Do ta mbajmë një festival një herë në vit, ku ai festival, do të organizohet në mënyrë profesionale dhe do të zgjedhet super gjyshja e vitit”, tha ai.
“Për moshën e tretë të gjysheve tona, do të organizohet një festival, në të cilin do të zgjedhet Miss Gjyshja. Miss Gjyshja në Ferizaj ka me u zgjedh, Miss Gjyshja një, mis gjyshja dy dhe mis gjyshja tre, për arsye se janë lënë anash gjyshet tona që aq shumë na duan ne, kush nuk i përmend as në fushatë, as jashtë fushatës”, tha ai. /Insajderi.com