Mbyllen hetimet për gjashtë vdekjet e dyshimta në QKUK

Mbyllen hetimet për gjashtë vdekjet e dyshimta në QKUK

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbyllur hetimet për gjashtë vdekje të dyshimta që kanë ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, për Shqip.com ka thënë se nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet kanë rezultuar se kanë qenë të natyrshme.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve dhe trajtimit të rastit në fjalë, më 11.10.2021, e ka mbyllur këtë rast”.

“Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me COVID-19“, ka thënë Ulaj.

Gjashtë vdekjet kanë ndodhur më 5 korrik 2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së, ku viktimat ishin duke u trajtuar për shkak të infektimit me Coronavirus.

Atëkohë, dyshohej se vdekjet kishin ndodhur për shkak të prishjes së sistemit të oksigjenit si dhe mosfunksionimit të respiratorëve në Infektivë.