Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është kthyer për të raportuar në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me situatën në Veri të Kosovës, pas masës së reciprocitetit, përcjell Insajderi.com.
Sipas tij, lidhur me këtë operacion kishin një koordinim të shkëlqyer të brendshëm, duke thënë se Policia e Kosovës ka treguar një profesionalizëm gjatë kësaj kohe.
“Koordinimi ynë i brendshëm ishte i shkëlqyer, falënderoj policinë për profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhshme. Ngjarjet u zhvilluan në atë mënyrë që vendimi ynë i datës 20 shtator solli edhe marrëveshjen e Brukselit, ku tashmë Serbia ishte pajtuar për reciprocitet”, ka thënë Sveçla.
Ai thotë se marrëveshja për targat e nënshkruar në Bruksel është duke u zbatuar në gjithë territorin dhe deri më tash janë lëshuar 17 mijë stikersa (letër ngjitëse).
“Deri më 21 tetor do të jemi gatshëm për të përgatitur për të gjetur një zgjidhje të përhershme lidhur me lëvizjen mes qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, tha Sveçla.
Ndryshe, paraditen e së martës, Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, lëshuan mbledhjen ende pa nisur për shkak se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, tha se i kishte ftuar veç e veç secilin./Insajderi.com