Sveçla: Vendimi për reciprocitet dha rezultat, ishim të përgatitur që barrikadat t’i largonim fizikisht

Sveçla: Vendimi për reciprocitet dha rezultat, ishim të përgatitur që barrikadat t’i largonim fizikisht

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se me vendimi për masën e reciprocitetit ka dhënë rezultat, pasi që “Serbia e pranoi reciprocitetin”, përcjell Shqip.com.

Në raportim para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, teksa foli për situatën në Veri të Kosovës, Sveçla tha se ishin të përgatitur që fizikisht t’i largojnë barrikadat.

“Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga Policia dhe politik nga Qeveria që të zgjidhet rruga më e mirë e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”, tha ai.

Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Kosovës në raportim në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje

Ndryshe, paraditen e së martës, Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, lëshuan mbledhjen ende pa nisur për shkak se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, tha se i kishte ftuar veç e veç secilin.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, sipas së cilës çdo veturë që hynte, duhej t’i zëvendësonte tabelat me ato të përkohshme.

Për këtë, serbët lokal kishin bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në veri të vendit, në Jarinje dhe Bërnjak.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës ishin pozicionuar në këtoi pika kufitare.

Pas 10 ditësh bllokada, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për target, sipas të cilës, secila veturë që hynë në njërin shtet, do t’i vendosen stikersa (letër ngjitëse) në simbolet shtetërore të veturave.