Kurti pas aksionit në veri: Grupet kriminale nuk do të tolerohen

Kurti pas aksionit në veri: Grupet kriminale nuk do të tolerohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas bllokimit të rrugës nga serbët lokalë në Mitrovicën Veriore, tha se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se aksioni i Policisë së Kosovës ka përfunduar, teksa u bëri thirrje qytetarëve në Mitrovicën e Veriut që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e “mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.

Tutje, ai tha se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

Ndryshe, mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Aksion i Policisë kundër kontrabandës së mallrave.

Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.

Gjithashtu është raportuar edhe për shpërthime që tensionuan situatën në Veriun e Kosovës.

Aksioni më pastaj është zhvendosur edhe në Zveçan.

Krejt këtë e ka parë si një tjetër “provokim”, Petar Petkoviq – drejtor i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi.

Madje, thotë se e ka informuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai e ka gjetur “fajtorin”, sipas tij është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Aksioni për kontrabandën me mallra është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.

Policia përmes kumtesës shtoi se “do të jenë të gatshëm ta luftojnë kontrabandimin”.

Po kjo polici javë më parë u pozicionua në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për ta zbatuar reciprocitetin e targave.

Aty qëndruan për gati dy javë, deri në arritjen e marrëveshjes së Brukselit.

Marrëveshje që e dërgoi KFOR-in ne veri për dy javë – afati i qëndrimit të KFOR-it atje është ende.

Pikërisht, edhe tash – kur zhurma ka kapluar veriun e vendit./Insajderi.com