Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi është raportuar se disa gazetarë janë sulmuar në Veriun e Kosovës.
AGK thotë se janë sulmuar gazetarë shqiptarë dhe serbë në veri.
“Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë”.
“Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”.
“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.
Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.
Gjithashtu është raportuar edhe për shpërthime që tensionuan situatën në Veriun e Kosovës.
Aksioni më pastaj është zhvendosur edhe në Zveçan.
Krejt këtë e ka parë si një tjetër “provokim”, Petar Petkoviq – drejtor i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi.
Madje, thotë se e ka informuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.
Ai e ka gjetur “fajtorin”, sipas tij është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.
Për këtë situatë ka reaguar edhe kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, i cili theksoi se “grupet kriminale nuk do të tolerohen”.
“Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Aksioni për kontrabandën me mallra është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.
Policia përmes kumtesës shtoi se “do të jenë të gatshëm ta luftojnë kontrabandimin”.
Po kjo polici javë më parë u pozicionua në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnajk për ta zbatuar reciprocitetin e targave.
Aty qëndruan për gati dy javë, deri në arritjen e marrëveshjes së Brukselit.
Marrëveshje që e dërgoi KFOR-in ne veri për dy javë – afati i qëndrimit të KFOR-it atje është ende.
Pikërisht, edhe tash – kur zhurma ka kapluar veriun e vendit. /Insajderi.com