Pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës, NATO ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës në këtë pjesë, duke thënë se operacioni i zhvilluar është në zbatim të ligjit.
Në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në Kosovë.
“Policia e Kosovës po kryen një operacion të zbatimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë dhe me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar”.
“Dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij në OKB – sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Më tej, bëhet e ditur se KFOR-i vazhdon të mbështesë marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave.
Vlen të ceket se kjo është java e dytë që KFOR-i është pozicionuar në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinë dhe Bërnjak, pas marrëveshjes së arritur mes dy shteteve për targa.
KFOR ka marrë nën kontroll situatën në këto vendkalime kufitare pas dy javësh që serbët kishin ngritur bllokada në rrugë, pasi Kosova kishte vendosur të aplikojë masën e reciprocitetit për targa.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.
Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit./Insajderi.com