Disa prej mallrave që më së shumti kontrabandohen nga Serbia në Kosovë janë pijet, produktet ushqimore, aksesorë të ndryshëm dhe disa herë duhan, përcjell Insajderi.com.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavilevci, tha se kontrabandistët shfrytëzojnë automjete kryesisht të vogla për t’i kontrabanduar mallrat përmes shtigjeve malore.
“Ka rrugë dytësore të cilat kontrabandistët e ndryshëm tentojnë t’i përdorin, por ato rrugë nuk janë rrugë ku mund të kalojnë maune të mëdha, por kalojnë, mund të themi, automjete të cilat janë shumë më të vogla dhe përmes të cilave tentojnë të kontrabandojnë në mënyrë që të shmangin pagesat dhe obligimet doganore”, thotë Stavileci për REL.
Sipas Doganës së Kosovës, pjesa në veri, konsiderohet si zona më e prekur nga kontrabandimi i mallrave.
Stavilevci tregon se Dogana së bashku me KFOR-in kanë vendosur bllokada në vendkalimet malore që janë identifikuar si vende që përdoren për kontrabandim të mallrave.
Dogana e Kosovës herë pas herë ka sekuestruar mallra kontrabanduese në zonat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht pije alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë të ndryshme.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë thënë se po punojnë në parandalimin e kontrabandës, por ende vazhdon të jetë prezente.
“Kontrabandimi është bërë në forma të ndryshme duke nisur nga ato mjetet më primitive, përveç kafshëve e deri të pjesa tjetër (mjeteve) që kanë qenë me derivate apo të formave të veturave më të vogla. Do të thotë, të gjitha këto janë përdorur për të futur mallra të caktuara, sidomos mallra me akcizë”, thotë Rukiqi.
Sipas Rukiqit, çdo aktivitet ekonomik joformal dhe mospengimi i kontrabandimit të mallrave po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.
“Vazhdimisht është luftuar (kontrabanda e mallrave), thuhet se ka pasur rënie të dukshme te pjesa e cigareve (duhanit) apo te pjesa e derivateve, po në disa kategori tjera, sigurisht që ka vazhduar”, thotë ai.
Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com