Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shqyrtojë raportin e rregullt gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate për Kosovën në seancën e cila mbahet sot, e premte.

Raporti do të prezantohet nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, i cili tha se raporti i ri fokusohet në reformën qeveritare, sundimin e ligjit, çështjet e sigurisë dhe situatën me pandeminë e COVID-19.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në këtë seancë, pasi Kosova aktualisht nuk ka ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyra për Media e Presidencës së Kosovës, kishte njoftuar të mërkurën rreth udhëtimit të Osmanit për në SHBA.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, për të marrë pjesë në takimin e radhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë”, thuhet nga Zyra e Presidentes.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të paraqesë të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, sfidat dhe perspektivën e vendit.

Sesioni i fundit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së u mbajt më 13 prill në formatin online për shkak të pandemisë së Coronavirusit./Insajderi.com