Borrell e Blinken flasin për situatën në Veri të Kosovës, kërkojnë vazhdimin e dialogut

Borrell e Blinken flasin për situatën në Veri të Kosovës, kërkojnë vazhdimin e dialogut

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, janë takuar të enjten, me ç’rast janë pajtuar që duhet të ndërmerren hapa që të ulen tensionet në Veri të Kosovës dhe që sa më parë të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.

Kështu është bërë e ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një komunikate për media.

“Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, theksuan nevojën për përshkallëzim dhe riangazhim në negociata. Ata u pajtuan që të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre në këto çështje”.

Ky njoftim vjen pasi në Veri të Kosovës së fundmi ka pasur tensione. Fillimisht ishte vendimi për vendosjen e masës së reciprocitetit nga Kosova për targat e veturave që hyjnë nga Serbia, vendim ky që ngriti në protesta serbët lokalë. Këta të fundit për dita ditë rresht bllokuan rrugët në afërsi të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak.

Pika kufitare në Jarinje, serbët e grumbulluar për të protestuar kundër reciprocitetit të targave

Po ashtu, me protesta dhe tension në veri u prit edhe një aksion i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, aksion ky që u zhvillua në nivel vendi dhe përfshiu edhe veriun.

Veriu i Kosovës pas aksionit kundër kontrabandës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme” të Bashkimit Evropian për, siç tha, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit të Borrellit në SHBA, ai ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, këto bisedime kanë pasur për qëllim uljen e tensioneve dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut.

Ka shtuar se këto biseda janë zhvilluar po ashtu që të mos përsëriten tensionet dhe trazirat që u panë më 13 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan./Insajderi.com