Numërimi i 100 për qind të votave tashmë ka përfunduar në disa komuna të Kosovës.
Bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor Lipjani, Deçani, Fushë Kosova, Parteshi, Novobërda, Shtimja, Malisheva, Hani i Elezit dhe Vushtrria, janë disa nga komunat nga të cilat janë bërë të ditura rezultatet preliminare.
Në komunën e Fushë Kosovës ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Burim Berisha, me gjithsej 49,86 për qind të votave, duke lënë pas në këtë garë Enver Bajçincën nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në komunën e Lipjanit ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, me 56 për qind të votave.
Kjo fitore bindëse erdhi pas garës së ushtruar me Adnan Rrustemin nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili edhe e uroi kundërkandidatin e tij për mandatin e dytë në krye të kësaj komune.
Por, Vetëvendosje arriti të dilte e para në një komunë që tashmë ka numëruar të gjitha votat preliminare.
Komunën e Shtimës e ka fituar kandidati i kësaj partie, Qemajl Aliu me 45,10 për qind, duke lënë pas Naim Ismailin e PDK-së me një përqindje jo shumë të madhe në krahasim.
Në anën tjetër, komuna e Hanit të Elezit është fituar nga kandidati i Partisë Demokrate të Kosovës, Mehmet Balazhi me 50.98 për qind.
Disa nga komunat tjera që kanë dalë me fitore bindëse të një partie politike, janë ato të banuara me shumicë serbe.
Dragan Petkoviq nga Lista Serbe ka fituar pa balotazh plotë 75,20 për qind të votave në komunë e Parteshit.
Në komunën e Novobërdës, Sasa Miloseviq ka fituar 64.09 për qind të votave.
Komunë tjetër e cila nuk do të shkoi në balotazh dhe që është numëruar 100 për qind është e Shtërpcës, ku kandidati i LS-së, Dalibor Jevtiq ka fituar 59,36 për qind.
Nga komunat që janë numëruar plotësisht, janë edhe disa që kanë shkuar në balotazh.
Ndër to janë Malisheva dhe Vushtrria.
Në Malishevë në balotazh kanë shkuar kandidati i Nismës, Ekrem Kastrati dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, me rreth një mijë vota diferencë.
Ndërsa në Vushtrri në balotazh kanë shkuar kandidati i PDK-së, Fehrit Idrizi dhe ai i LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili ndonëse është kryetar aktual dhe ka shpallur fitoren gjatë mbrëmjes, në rezultat renditet i dyti.
Të dhënat e KQZ-së tregojnë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje komunale ka arritur në 42.50 për qind.
Nga një milion e 885 mijë e 448 persona që kishin të drejtë vote, kutive të votimit ju drejtuan 799 mijë e 963 qytetarë./Shqip.com