41 vjeçari me inicialet G.B. dyshohet se është vrarë gjatë mëngjesit të së hënës në fshatin Batllavë të Podujevës.
Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se për këtë rast është arrestuar një person i dyshuar për këtë vrasje.
B.B. – 47 vjeçar është arrestuar në fshatin Gërdovc të Podujevës dhe i është sekuestruar edhe arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer akti.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 08:00, në fshatin Gërdovc të Podujevës, policia ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e ndodhur sot në fshatin Batllavë, të Podujevës”, ka thënë Ahmeti.
“Personit të dyshuar, B.B mashkull 47 vjeç, i është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Viktimë në këtë rast është G.B (mashkull), 41 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.
Aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si “Vrasje e rëndë”. /Insajderi.com