Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për pafajësinë e ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila po akuzohej për mosraportim të pasurisë, transmeton Insajderi.com.
Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se duhet refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.1630/2020, i datës 05.07.2021.”, thuhet në njoftim.
Haradinaj-Stublla është shpallur e pafajshme në akuzën për korrupsion më datë 4 qershor të këtij viti.
Aktgjykimi ishte shpallur në këtë ditë nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, e cila kishte thënë se nuk është provuar se Haradinaj-Stublla është fajtore.
“Gjykata ka vlerësuar se mosveprimet e përshkruara si në dispozitiv të aktgjykimit të të akuzuarës Meliza Haradinaj-Stublla me provat e proceduara të cilat gjykata ua fali besimin, nuk u provua se ekzistojnë elementet e veprës për të cilën është akuzuar”, kishte deklaruar gjykatësja.
Ish-kryediplomatja e Kosovës ishte shpallur fajtore nga Themelorja në Prishtinë më 4 tetor të vitit 2019, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohej me burgim, ku do të llogaritej shume prej 20 euro për një ditë burgim.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim. /Insajderi.com