Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Pocesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë, do të vazhdojë edhe të martën, njofton Insajderi.com.

Edhe sot pritet të vazhdojë dëshmia e Zenka Pumper, e cila është koordinatore e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në seancën e djeshme Prokuroria e nxjerri dëshmitaren e parë në këtë proces gjyqësor.

Zenka Pumper tregoi për përmbajtjen e dosjeve që u morën në organizatën që drejtohej nga Gucati dhe Haradinaj.

Zenka Pumper dëshmon në gjykimin e Gucatit dhe Haradinajt

Ajo tregoi për numrin e dosjeve dhe të bastisjeve që kryen në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Siç njoftoi Pumper, në pakon 1 pjesa më e madhe e dokumenteve ishin kërkesa për ndihmë në hetime nga prokurori serb i zyrës për krime lufte. Paketa dy, sipas Pumper-it, përbëhej nga dy kategori, me përjashtim të pak dokumenteve, në përgjithësi ishin vendime gjykata në çështje të ndryshme gjyqësore, raporton KK.

Mbrojtja e Nasim Haradinajt ka shprehur shqetësime lidhur me deklarimet e dëshmitares duke thënë se Pumper po dëshmon për çështje jashtë njohurive të saj.

Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Insajderi.com