Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 17 tetorit, njofton Insajderi.com.
Derisa ka falënderuar ata që e mbështetën në këtë garë, ka thënë se besimi i tyre do të kurorëzohet me fitore më 14 nëntor – në raundin e dytë.
Rama, i cili u rendit i dyti në raundin e parë, shprehet i bindur se do të jetë fitues në balotazh.
“Ndjehem thellësisht mirënjohës për votën e secilit prej jush që më dha mbështetje për të shkuar në raundin e dytë. Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 nëntor”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve do t’ua shtrijnë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës, pasi thotë se fitorja është për të gjithë qytetarët, përtej bindjeve partiake.
“Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake. Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores”, ka shkruar Rama. /Insajderi.com