Koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara, Zenka Pumper, po vazhdon të japë dëshminë e saj edhe sot në seancën ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, njofton Insajderi.com.
Ajo ka thënë se ka parë edhe versionet e paredaktuara të paketave që ishin në zyrat e Oorganizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pumper, e cila është dëshmitarja e parë, është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici rreth “Paketës 2”, e cila përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve, të cilat ishin kryer nga Task Forca Speciale Hetimore dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ajo ka pohuar se aty kishte emra të dëshmitarëve të mbrojtur.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Insajderi.com