Me 66 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në Kuvendin e Kosovës projektkodi nr.08/L-032 i Procedurës Penale, përcjell Insajderi.com.
Gjatë seancës së Kuvendit të martën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për këtë projektkod duke thënë se ka për qëllim avancimin e drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në Kosovë.
Sipas saj, ky projektkod parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës.
“Disa nga ndryshimet që janë më të rëndësishme, më substanciale janë gjykimi në mungesë, është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar.
Këtu bëhet një dallim ndërmjet gjykimit në mungesë për veprat tjera, përjashto ato të krimeve të luftës, për faktin se për rastet e krimeve të luftës jo domosdoshmërisht kërkohet që i pandehuri të jetë në seancën e parë apo në seancën fillestare”, tha Haxhiu para deputetëve./Insajderi.com