Tahiri: Për pak muaj mazhoranca e Osmanit dhe Kurtit treguan paaftësinë e tyre për realizimin e Vettingut

Tahiri: Për pak muaj mazhoranca e Osmanit dhe Kurtit treguan paaftësinë e tyre për realizimin e Vettingut

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se reagimi i presidentes Vjosa Osmani për raportin e progresit është i paqëndrueshëm, duke konstatuar se mazhoranca aktuale Kurti-Osmani po bën shkelje serioze me procesin e vettingut, njofton Insajderi.com.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri thotë se presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në raportin e progresit, nxitoi nga të mërkurën në konferencë për shtyp për t’i bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë.

Sipas Tahirit, me këtë që ka bërë Osmani, ka përbuzur punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të këtij sistemi, që në baza ditore përpiqen për ta mbajtur atë në këmbë.

“Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucional janë të dështuar, për çfarë vetingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit në krye të së cilit, ajo e mbanë pozitën e Presidentes”, ka shkruar Tahiri.

“Pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”, shtoi ai.

Tahiri thotë se tendenca për ta imponuar një process të vettingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike është një shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit.

“Tendenca për ta imponuar një proces të vetingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës, është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore, për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”, ka shkruar Tahiri.

Osmani, gjatë së mërkurës ka thënë se s’pajtohet me rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian, të cilat thonë se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të vettingut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë për shtyp

Sipas saj, pavarësisht se në raport thuhet që vettingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë këtë proces. /Insajderi.com