Vela – Abdixhikut: Je i fundit që mund ta mësosh Presidenten

Vela – Abdixhikut: Je i fundit që mund ta mësosh Presidenten

Blerim Vela – shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas deklaratave të tij se Presidenca dhe Qeveria nuk janë në një linjë për Vetingun, njofton Insajderi.com.

Ai thotë se Abdixhiku është njeriu i fundit që mund të mësojë presidenten se si shtyhen përpara kauzat.

Kështu është shprehur Vela me anë të një postimi në Twitter, ku shtoi se e para e shtetit e ka kauzë të përhershme ligjshmërinë në sistemin e drejtësisë.

“Sundimi i ligjit, integriteti dhe ligjshmeria në sistemin e drejtësisë janë dhe mbeten kauza të përhershme të Presidentes Vjosa Osmani,dhe jo angazhim vetëm gjatë një kampanje. Për këtë Presidentja ka mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.

“Andaj, kryetari aktual i LDK-së, Abdixhiku, është njeriu i fundit që mund ta mësojë Presidenten se si t’shtyhen përpara kauzat, t’cilat ai e ka zakon t’i lë n’gjysmë apo t’bëhet pjesë e kauzave t’gabuara të atit të tij ideologjik, Isa Mustafës, që kanë pamundësuar Vetingun n’drejtësi”, shtoi Vela.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se subjekti që drejton nuk i jep përkrahje një procesi të Vetingut, në të cilin nuk janë të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Presidenca dhe Qeveria sa kemi informacione nuk janë në një linjë për Vetingun. Por ky proces është i pashmangshëm”, është shprehur Abdixhiku në Klan Kosova.

“Asnjë proces i Vetingut nuk mund të bëhet pa partneritet me BE-në dhe SHBA-në. LDK nuk jep mbështetje për këtë çështje pa SHBA-në dhe BE-në. Nëse BE është jashtë procesit, atëherë ky proces është fragjil”. /Insajderi.com