Gjykata Supreme e Kosovës i ka hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e Listës së Pavarur të Bekim Jasharit, për blerje të votave në zgjedhjet e 17 tetorit nga ana e partisë kundërshtare në këto zgjedhje që edhe arriti të dalë e para në Komunën e Skenderajt, Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas njoftimit, njëra nga ankesat e kësaj partie kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është hedhur si e palejuar.
Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, njoftoi një ditë pas zgjedhjeve, se ka dërguar 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth procesit të zgjedhjeve lokale.
Bazuar në rezultatin e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Fadil Nura i PDK-së ka fituar gjithsej 12 mijë e 586 vota apo 57.99 për qind të votave, duke lënë në vend të dytë kryetarin e deritanishëm të Skenderajt, Bekim Jasharin me tetë mijë e 821 vota apo 40.64 për qind të votave./Insajderi.com