Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zdenka Pumper, ka thënë se paketa 3 me dokumente të sekuestruara nga Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmban emra të dëshmitarëve që i kishte intervistuar ZPS, përcjell Insajderi.com.
Teksa po u përgjigjej pyetjeve të prokurores, Valeria Bolici, Pumper ka deklaruar se dokumentet e paketës 3 kanë përfshirë edhe referenca ndaj informacioneve dhe të dhënave të dëshmitarëve.
Po ashtu, ajo thotë se të dhënat që ishin në këtë paketë nuk ishin bërë publike nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Prokurorja Bolici: Në lidhje me paketën 3, ju bënë disa pyetje në lidhje me konfidencialitetin e atij dokumenti. Pyetja ime është kjo, paketa 3 a lidhet me hetimet e ZPS-së? Dëshmitarja Pumper: Po, lidhet.
Prokurorja Bolici: Ky dokument përmban ndonjë informacion, me sa dini ju, që nuk ishte bërë publik nga ZPS? Dëshmitarja Pumper: Me sa di unë, nuk ishte bërë publik.
Prokurorja Bolici: Përfshinte emra dëshmitarësh që ZPS i kishte intervistuar? Dëshmiarja Pumper: Po. Prokurorja Bolici: Përfshinte referenca ndaj informacionesh dhe të dhënash nga këta dëshmitarë? Dëshmitarja Pumper: Po.
Prokurorja Bolici: Me sa dini ju, ZPS e ka bërë ndonjëherë publik ndonjë emër apo provë apo informatë, të dhënë nga dëshmitarët e saj? Dëshmitarja Pumper: Me sa di unë jo”, ka qenë njëra nga pjesët e bisedës mes prokurores dhe dëshmitares.
Ndryshe, kjo është dita e gjashtë ku në Dhomat e Specializuara po dëgjohet hetuesja e ZPS-së, Zdenka Pumper, si dëshmitare e ZPS-së në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Ndërkaq, të martën, Gjykata Speciale ka kërkuar nga Policia e Kosovës garanci për lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Përmes njoftimit, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se trupi gjykues ka urdhëruar Policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor të ofroj informacione lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të tyre.
Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.
Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike./Insajderi.com