Pesë persona janë arrestuar në Ferizaj dhe Gjakovë pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “blerje, posedim, shitje ose shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, përcjell Insajderi.com.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj, ku gjatë kontrollit të një veture me targa vendore, është gjetur një çantë me substancë që dyshohet se është marihuanë, janë arrestuar dy persona, Xh.G., dhe V.B.
Tutje, gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit Xh.G., janë konfiskuar 13 qese najlloni të mbushur me substancë narkotike që dyshohet se është kokainë.
“Tek banesa e Xh.G., janë gjetur dhe konfiskuar: 13 qese najloni të mbushur me substance narkotike që dyshohet të jetë kokainë, me peshë 4.1 gram. Kurse në banesën e V.B., nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar/konfiskuar, provat si në vijim: një qese e zezë najloni e mbushur me substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë 1283.3 gram, 13 qese najloni të mbushura substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, me peshë 4.1 gram, 3 telefona mobil, para të gatshme dhe dy vetura”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Kurse, në Gjakovë pas një kohë hetimesh, Policia ka realizuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore për kontrollim të pronave të tre të arrestuarve, G.I., J.I., dhe Rr.Sh.
Gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve G.I., dhe J.I., në pjesë të ndryshme të shtëpisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar pesë kilogramë e 571 gramë substancë që dyshohet se është marihuanë, tri vetura, katër telefona, një pushkë gjuetie, një karikatorë, pesë fishekë dhe një granatë dore.
Ndërkaq, me aktvendim të Prokurorit, pesë personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh./Insajderi.com