Paraburgim për personin që sulmoi fizikisht një grua në një market në Prishtinë

Paraburgim për personin që sulmoi fizikisht një grua në një market në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të akuzuarit F.B., i cili sulmoi fizikisht një grua në një market në Prishtinë, përcjell Insajderi.com.

Përmes njoftimit, Gjykata bëri të ditur se ka aprovuar propozimin e prokurorit të shtetit për ekzaminim psikiatrik ndaj të pandehurit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë  24.10.2021, brenda Qendrës Tregtare “Interex”, në Prishtinë i pandehuri F.B. pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën S.B.H, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim ashtu që si pasoj e kësaj i pandehuri  e ka sulmuar  fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë me ç’rast e dëmtuara ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu, Gjykata ka njoftuar se kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndërkaq, pamjet ku shihet personi duke sulmuar viktimë në një market në Prishtinë janë publikuar mbrëmjen e së hënës në media.

Ai shihet në një market, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët .

Në pamjet e publikuara, i dyshuari fillon të ushtrojë dhunë fizike ndaj viktimës e cila po ashtu ishte duke blerë ushqim./Insajdericom