Shkarkimi nga presidentja – Daka do të dërgojë tek Avokati i Popullit kërkesën për shqyrtim

Shkarkimi nga presidentja – Daka do të dërgojë tek Avokati i Popullit kërkesën për shqyrtim

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, të mërkurën do të dërgojë tëk Avokati i Popullit kërkesë për shqyrtim lidhur me shkarkimin e saj nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ky institucion më pas mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në emër të saj.

Sipas saj, ky nuk është kërcënim për presidenten Osmani, por ka thënë se dëshiron që të zgjidhet dilema nëse presidenti/ja mund ta shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim”, ka thënë Daka në Klan Kosova.

A e dini se Vjosa Osmani e Valdete Daka janë familjare mes veti?

Valdete Daka dhe Vjosa Osmani

Më tej, ka theksuar se është për të ardhur keq që deputetët e Kuvendit të Kosovës “dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese”.

“Nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”.

Më tej, ka shtuar se deputetët si të zgjedhurit e popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe për këtë ka thënë se e marrin edhe votën e qytetarëve.

“Nuk është në pyetje më Valdete Daka, por është në pyetje institucioni dhe mbrojtja e institucionit të pavarur, sepse është krijuar precedent. Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm”.

“Në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë ‘Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj’ dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre”.

Daka ka thënë se ka përgatitur një dosje të cilën do ta dorëzojë te Avokati i Popullit dhe i njëjti pasi ta shqyrtojë do ta vlerësojë nëse e njëjta ka bazë që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ose jo./Insajderi.com