Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit, Kushtrim Cukaj dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani.
Lajmin e ka konfirmuar Tahir Rrecaj, mbrojtësi i të akuzuarit, Demush Shasha, i cili tha se kundër këtij vendimi brenda afatit ligjor ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Po, e kemi shfrytëzuar të drejtën e ankesës dhe brenda afatit ligjor prej 5 ditësh ne e kemi paraqitur ankesën në Gjykatën e Apelit”, tha avokati Rrecaj për “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 1 shtator të këtij viti.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.
Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.
Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë./Insajderi.com