Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar Portugalinë, pasi forcat e armatosura të këtij shtetit 23 vite më parë i janë bashkuar intervenimit të NATO-s në Kosovë, e cila ishte në luftë duke mbrojtur territorin e saj nga Serbia.
23 vite më parë, sipas Osmanit, Portugalia është vendosur në anën e duhur të drejtësisë.
Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë vizitës zyrtare në këtë shtet, ku është pritur nga ministri i Mbrojtjes, João Gomes Cravinho.
“Sot e filluam ditën me pritjen nga forcat e armatosura të Portugalisë dhe Ministri i Mbrojtjes z.João Gomes Cravinho. 23 vjet më parë, pikërisht nga ky vend, këto forca u bënë pjesë e intervenimit të NATO-s, i cili pati për synim mbrojtjen dhe lirinë tonë”.
“Ata u vendosën në anën e duhur të historisë, në anën e të drejtës, në anën e lirisë si një e drejtë universale, në anën e mbrojtjes së një populli të tërë nga shfarosja nga një regjim tiranik. Në emër të popullit të Kosovës, përzemërsisht faleminderit!”, ka shkruar presidentja në profilin e saj në Facebook.
Presidenca ka njoftuar se Osmani ka udhëtuar për në Portugali të enjten. Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit atje, do të takohet edhe me homologun e Potugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, kryetarin e parlamentit, Eduardo Ferro Rodrigues, ministrin e jashtëm Augusto Santos Silva, si dhe shefin e Forcave të Armatosura, admiral Silva Ribeiro./Insajderi.com