Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj e cila kishte pretenduar se në rezultatin përfundimtar mungonin disa vota, përcjell Insajderi.com.
Përmes vendimit të publikuar, PZAP tregon se ka refuzuar ankesën pasi që parashtruesi nuk ka ofruar dëshmi të qarta bindëse lidhur me shkeljet e supozuara për mospërputhje të rezultateve.
Tutje, PZAP pohon se pretendimet janë të pabazuara pasi që rezultatet preliminare nuk konsiderohen si përfundimtare dhe gjendja e tyre ndryshon varësisht nga rezultati i progresit të procedimit të të dhënave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
“Ankuesi nuk ka paraqitur asnjë provë tjetër pos kopjes së rezultatit preliminar nga faqja e KQZ-së dhe kopjen e rezultatit përfundimtar të shpallur nga KQZ-ja duke mos bashkangjitur as formularin e përputhjes së rezultateve, formularin e rezultateve të kandidatëve dhe formularin e rezultateve të dengut. Andaj në mungesë të provave paneli vendosi që apeli i paraqitur nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me rezultatin e kandidatit për kryetar të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut të refuzohet si e pabazuar.
PZAP vlerëson se rezultati preliminar është proces i numërimit të votave dhe rrjedhimisht ky rezultat përderisa është proces mund edhe të ndryshoj, megjithatë si i tillë nuk cenon të drejtën e kandidatit pasi që nuk ka asnjë rezultat përfundimtar të votave dhe vetëm rezultati përfundimtar i shpallur mund të jetë i atakueshëm me apel …paneli vlerësoi se apeli i parashtruar nga subjekti politik PDK nuk është i bazuar në dëshmi të qarta dhe bindëse”, thuhet tutje në vendim.
“Me datë 29.10.2021, PZAP ka pranuar apelin Anr.722/2021, nga përfaqësuesi i Subjektit Politik Partia Demokratikë e Kosovës dega në Ferizaj, me të cilin pretendon se duke u bazuar në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ, ka mospërputhje të rezultati preliminar, vota me kusht dhe me postë në rezultatin përfundimtar për kandidatin për kryetar të Komunës së Ferizaj, Agim Aliu nga radhët e PDK-së.
Parashtruesi i apelit pretendon se në tabelën e votave të rezultatit preliminar të kandidati për kryetar të Komunës së Ferizaj, Agim Aliu nga PDK ka fituar 30.441 vota të rregullta, në publikimin e votave me kusht rezultojnë 477 vota, me postë 81 vota dhe në bazë të këtyre dëshmive rezultati për kandidatin në fjalë duhet të ishte 30.999 vota. Më tutje në apel theksohet se në rezultatin preliminar të KQZ-s publikohen 30.627 vota, kurse nga publikimet e KQZ- të sqaruara më lartë dalin 30.999 vota, ku sipas parashtruesit të apelit dëmi eventual që mund të shkaktohet rezulton në 372 vota më pak për kandidatin e tyre të komunës”, tregon tutje PZAP./Insajderi.com